Në spitalin e përgjithshëm në Vushtrri janë duke u trajtuar 7 pacientë me COVID-19, e që janë duke u trajtuar me oksigjenoterapi.
Që nga dje ky spital ka filluar përgatitjet për të pritur edhe pacientët e tjerë që janë me koronavirus, pasi që me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë është shndërruar në spital për trajtimin e rasteve me COVID-19.
Spitali i Vushtrrisë ka 64 shtretër, ndërkohë që nuk ka infektolog dhe ka vetëm një pulmolog, e që përballet edhe me mungesë të stafit.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të këtij spitali, Mursel Pllana, tha se me të marrë vendimin nga Ministria e Shëndetësisë kanë filluar me përgatitjet e nevojshme.
“Spitali i Vushtrrisë i ka 64 shtretër, shumica e dhomave janë të pajisura me oksigjen qendror. Kështu që, momentalisht në spital i kemi 7 pacientë të shtrirë, të gjithë janë me oksigjenoterapi. Jemi duke u përgatitur edhe për masat e tjera, duke i ndërmarrë masat të cilat shpenzohen, fjala është për maskat mbrojtëse, për material shpenzues, oksigjen të gjitha këto që janë të nevojshme. Jemi duke i bërë kërkesat me kohë që mos të kemi probleme në mbarëvajtje të punës”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Ai ka treguar se gjendja e pacientëve me COVID-19 që janë duke u trajtuar në këtë spital është stabile.