Sot Qeveria prezantoi masat e reja ndaj koronavirusit, por nënkryetari i Gjilanit Arbër Ismajli, ka bërë të ditur se në mbledhjën e Shtabit Emergjent kanë diskutuar për këtë temë, përcjell InLajmi.
Ai ka bërë të ditur se nga numri total i të infektuarve në këtë komunë e që është 285, aktive janë 126.
Ndërsa vendimin e qeverisë për futjen e Gjilanit në karantinë e ka konsideruar të ngutshëm.
Postimi i plotë i tij:
Të dashur qytetarë,
Nga takimi i sotëm i ekipit të Qendrës Operative Emërgjente, u vlerësua gjendja aktuale në komunën tonë, si dhe u diskutuan masat shtesë që ka ndërmarrë Qeveria e Republikës.
Deri më tani, numri i përgjithshëm i të infektuarve nga Komuna e Gjilanit është 285 raste. Nga këto raste, të shëruar kemi 155 raste, të vdekur 4 raste, ndërsa, raste aktive kemi gjithsej 126. Ne, si institucione jemi pranë çdo të prekuri, duke u përkujdesur për ta, deri në shërimin e plotë të tyre.
Ndërsa, vendimi i Qeverisë së Republikës, për futjen e Komunës së Gjilanit në karantinë, konsiderojmë që është vendim i ngutshëm dhe jo i menduar mirë, pasi që, do të sjellë pasoja të rënda socio-ekonomike për qytetarët tanë.
Vendime të tilla, nuk janë të mirëseardhura edhe për bizneset, ku do të ndikojnë drejtpërsëdrejti në vështirësimin e gjendjes financiare të operimit të tyre, e rrjedhimisht, deri tek ndërprerja përfundimtare e operimit./InLajmi/