Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e 13-të në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar vendime për masat që do të ndërmerren në funksion të luftimit dhe parandalimit të pandemisë Covid-19, përcjell InLajmi.
Vendimi i parë i miratuar në mbledhjen e sotme për ndërmarrjen e masave, me qëllim të parandalimit të përhapjes dhe kontrollit të infeksionit Covid-19, është për obligimin e të gjithë banorëve të Kosovës që të bartin maskat për fytyrë në të gjitha aktivitetet jashtë shtëpive/banesave të tyre, si dhe të mbajnë distancë fizike prej 2m në ambiente të përbashkëta jashtë shtëpive/banesave të tyre.
Vendimi obligon gjithashtu që të gjitha institucionet publike dhe private të mbajnë dezinfektues për duar dhe maska për fytyrë në vende të qasshme – në hyrje të objektit – të cilat mund të shfrytëzohen nga punëtorët e institucioneve dhe vizitorët./InLajmi/