Kosova të premten ka regjistruar tri viktima nga COVID-19. Numri i të vdekurve nga koronavirusi që nga shfaqja e tij ka arritur në 97. As për këto vdekje Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) nuk ka dhënë detaje. Ato vetëm janë shtuar te numri i përgjithshëm i të vdekurve, ku thuhet se viktimat kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.
E premtja ka qenë dita e tretë rresht kur numri i të infektuarve ka kaluar 200. Testimi i 388 mostrave ka dhënë edhe 205 raste pozitive. 207 janë regjistruar të enjten e 214 të mërkurën. Numrit të rasteve aktive për 3 ditë i janë shtuar 626 raste, duke çuar në 2 mijë e 259 numrin e të infektuarve aktualë. Instituti ka njoftuar se janë shëruar edhe 61 pacientë, duke çuar në 2 mijë e 156 numrin e të shëruarve
Numri total i rasteve pozitive është 4 mijë e 512 raste. Ato janë zbuluar nga testimi i 27 mijë e 304 personave të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2. 87 nga rastet e reja pozitive janë nga Prishtina, 25 nga Ferizaj, 16 nga Prizreni, 14 nga Fushë Kosova, 13 nga Podujeva, 9 nga Mitrovica, nga 5 raste janë regjistruar në Pejë e Vushtrri, nga 4 raste në Obiliq e Shtime, nga tri raste në Dragash, Lipjan e Rahovec, nga 2 raste në Drenas, Istog, Gjakovë, Kaçanik e Skenderaj, dhe nga 1 rast komunat Klinë, Malishevë, Mitrovicë e Veriut dhe Suharekë.
Prej të infektuarve në Shërbimin Spitalor, Klinik, Universitar të Kosovës (SHSKUK), të premten kanë qenë duke u trajtuar 282 pacientë, prej të cilëve 17 kanë qenë në gjendje kritike. Bazuar në raportin 24 orësh nga klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës kanë qenë të shtrirë 160 pacientë dhe në 7 spitalet e përgjithshme kanë qenë të shtrirë 122 pacientë.
Sipas raportit, prej tyre 103 kanë qenë duke u trajtuar në Klinikën Infektive, 39 në Pulmologji dhe 17 në njësinë intensive të Mjekësisë Sportive. 191 prej 282 ose 67 për qind e pacientëve kanë qenë duke u trajtuar me oksigjenoterapi, transmeton KOHA.
“Prej numrit total të pacientëve 122 pacientë janë me oksigjenoterapi në QKUK, kurse 69 në spitalet e përgjithshme. Në SHSKUK, janë 17 pacientë me Covid-19 në gjendje kritike, 4 prej tyre të intubuar”, thuhet në raport.