Kryetari i Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, në 21 vjetorin e rënies, ka kujtuar tre dëshmorët e “Batalionit Atlantiku” Agron, Yll e Mehmet Bytyqi, duke iu drejtuar nënës së tyre Bahrijes, përcjell InLajmi.
Kryetari Haradinaj ka thënë se dhembjen e madhe për rënien e tre vëllezërve Bytyqi e ndan së bashku me familjen e tyre.
Kryetari i AAK-së, i është drejtuar Bahrije Bytyqit, duke thënë se djemtë e saj iu bashkuan luftës çlirimtare në momentet vendimtare të saj.Haradinaj ka thënë se shpirti i tyre human dhe edukimi atdhedashës, do të kujtohen përgjithmonë.
Postimi i plotë i tij:
E dashur nënë Bahrije,
Familje Bytyqi dhe bashkëluftetarë të “Batalionit Atlantiku”
Sot kur kujtojmë 21-vjetorin e rënies së Agronit, Yllit e Mehmetit, të jeni të sigurtë se dhembjen e madhe po e ndajmë së bashku.
Djemtë tu, erdhën në Luftën Çlirimtare, në momentet më vendimtare të saj. Ata i dhanë dimension të ri luftës sonë për liri.
Ne kurrë nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi për bijtë tuaj. Shpirti i tyre human, edukimi atdhedashës që e morën nga ju, heroizmi i tyre, do të përkujtohen përgjithmonë.
Lavdi e përjetshme!/InLajmi/