Ish-drejtori i SHSKUK-së Basri Sejdiu ka thënë se shkarkimi i tij nuk lidhet me vdekjet e fundit në klinikat e QKUK-së.
Ai në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se ka pasur një ngutje në deklarata pasi oksigjeni është testuar dhe është i licencuar.
“Shërbimet teknike kanë bërë ekzaminimet dhe kanë konstatuar se çdo gjë është në rregull sa i përket oksigjenit. Inspektori farmaceutik gjithashtu ka konstatuar rregullsi. Ventilatorët janë në servisim dhe operatorët ekonomikë kanë mirëmbajtje të tyre. Sa i përket aspektit menaxherial çdo gjë ka qenë në rregull”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Sejdiu thotë se vdekje janë duke ndodhur në gjitha rajonin dhe të tilla mund të priten edhe në Kosovë.
“Vdekshmëria nuk është shkas për shkarkimin tim. Vet fakti që në Klinikën Infektive janë 110 pacientë dhe 70 prej tyre janë duke u trajtuar me oksigjen. Atëherë nuk mund të thuhet se dikush ka përgjegjësi për këto vdekje, sepse vdekshmëria është e lartë me këtë sëmundje. Po të krahasohemi me regjionin Kosova ka vdekshmërinë më të ulët”, shtoi më tej ish-drejtori i SHSKUK-së.