Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, do të rinisë më 12 korrik.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka konfirmuar të hënën, se kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen në raundin e ri të bisedimeve.
Ndërkohë, agjencia e lajmeve AFP raporton se presidenti i Francës Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, do të mbajnë një samit të premten, më 10 korrik, me përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë.
Ky samit, që do të zhvillohet përmes një video-lidhje, ka për qëllim uljen e tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tha Zyra e presidentit Macron.
Ende nuk është e qartë se kush do ta përfaqësojë Kosovën në këtë samit, kryeministri Avdullah Hoti apo presidenti Hashim Thaçi.
Mbajtja e këtij samiti të Parisit dhe dialogu në Bruksel vjen pas shtyrjes të një takimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor.
Ky takim u shty pasi më 24 qershor, Zyra e Prokurorit Special njoftoi se u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe të tjerë akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Dialogu, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ka nisur më 2011. Ky proces u ndërpre në fund të vitit 2018, për shkak të një takse të vendosur nga autoritetet kosovare ndaj mallrave të Serbisë. Kjo masë më pas u zëvendësua me reciprocitet.
Por, Qeveria e Kosovës në muajin qershor vendosi që të heqë masat e reciprocitetit, me qëllim që t’i jepet shans rinisjes së dialogut, përcjell EO.
Shtëpia e Bardhë, më 4 tetor, 2019, emëroi Richard Grenellin, si përfaqësues të posaçëm të saj për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.