Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje Arbërie Nagavci dhe Hajrulla Çeku, kanë mbajtur një konferencë për medie në njëmujorin e votimit të Qeverisë Hoti, raporton InLajmi.
Nagavci tha se kjo Qeveri është e varur nga Lista Serbe. Sipas saj, qytetarët nuk kanë votuar për nënshtrim ndaj Serbisë.
“Sot një muaj u votua kjo Qeveri që e përjashton fituesin e zgjedhjeve. Sot kjo qeveri ka 59 vota në Kuvend, ndërsa 2 vota të kontestuara i ka në procedurë të Kushtetueses”.
“Kjo Qeveri e faktorizoi Listën Serbe. Kjo qeveri e krijuar për t’i shërbyer Thaçit u mundësua nga ky i fundit duke trokitur nëpër dyert të deputetëve pas mesnatës”.
“Një ndër vendimet e para e Hotit ishte heqja e reciprocitetit, pra vullnetarisht u heq dorë nga mundësia për të qenë palë e barabartë. Derisa Kosova vazhdon të bëjë lëshime karshi Serbisë, kjo e fundit nuk e ndërpret fushatën për çnjohje ndaj Kosovës”.
“Hyrja në dialog me kushte të pabarabarta, nuk mund ta nxjerrë Kosovën si të barabartë. Qytetarët nuk kanë votuar për nënshtrim ndaj Serbisë”./InLajmi/