Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me Raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, të cilën thotë se e ka falënderuar për përkrahjen dhe punën e palodhshme për Kosovën në rrugën drejt integrimit.
“Sot e zhvillova një bisedë telefonike shumë produktive dhe përmbajtjesore me Viloa von Cramon, raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian, të cilën e falënderova për punën dhe përkrahjen e palodhshme për Kosovën në rrugën drejt integrimit evropian!”, ka shkruar Hoti në twitter.
Cramon ka qenë e zëshme në vazhdimësi kundër idesë së korrigjimit të kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Gjithashtu eurodeputetja gjermane në vazhdimësi ka përkrahur Kosovën në rrugën drejt integrimit në BE dhe gjithashtu për liberalizimin e vizave, përcjell Front.
Ajo së fundi bashkë me një grup tjetër europarlamentarësh i kanë shkruar letër kancelares gjermane, Angela Merkel, që procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën të përmbyllet përgjatë vititi 2020.