Gati gjysma e kompanive kosovare janë përballur me pasojat e emigrimit të të punësuarve të tyre. Sipas analizës së Pulsit Publik të publikuar të hënën, e cila ka të bëjë me ndërlidhjen e tregut të punës dhe emigrimit, shumica e të punësuarve të emigruar në tre vjetët e fundit janë shpërngulur në Gjermani.
Analiza e Pulsit Publik të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë (UNDP) është realizuar me anketimin e 201 bizneseve. Aty thuhet se institucionet dhe organizatat, palë të interesit, pajtohen se emigracioni i qytetarëve të Kosovës, veçanërisht në lidhje me punëtorët e aftë, është problem i përhapur në Kosovë.
“Emigrimi perceptohet vazhdimisht në rritje dhe me ndikim në tregun e punës dhe mungesën e shkathtësive në vend”, thuhet në analizë.
Përveç shpresës për mundësi më të mira pune dhe zhvillim personal ekonomik, edhe ribashkimi familjarë, sipas UNDP-së, ka luajtur rol të madh për shumë persona që kanë emigruar në Gjermani.
Sipas anketës, shumica e të punësuarve të kompanive të anketuara që kanë emigruar kanë pasur vetëm arsim të mesëm (75%) dhe kanë punuar në pozita teknike (52%) (d.m.th jo pozita profesionale ose menaxheriale) dhe mund të jenë më të lehtë për t’u zëvendësuar sesa personeli shumë i kualifikuar, raporton KOHA.
Intervistat me institucionet dhe organizatat palë të interesit zbuluan se emigracioni perceptohet se ka ndikimin më të madh kur bëhet fjalë për punëtorë profesionalë dhe të aftë. Kjo, sipas UNDP-së, ka të bëjë veçanërisht me pozita të tilla si mjekë, infermierë dhe inxhinierë. Rrjedhimisht sektori i shëndetësisë perceptohet si më i ndikuari.