Shqipëria është udhëheqësja rajonale, me popullsinë më të pakënaqur me mënyrën sesi po ecin gjërat në ekonominë e tyre.
Barometri i Ballkanit, një publikim i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, bën të ditur se pjesa më e madhe e vendeve të rajonit kanë shënuar një rritje të numrit të atyre që shprehen të kënaqur, një tregues i fortë se efektet e rritjes në ekonomi po përkthehen në përfitim edhe për qytetarët, por e kundërta ka ndodhur me vendin tonë.
Shqipëria është liderja rajonale në përqindje të atyre që janë të palumtur, plot 42 për qind e popullatës, teksa në Kosovë, më pak se një çerek apo 23 për qind e të anketuarve janë të pakënaqur, duke e kthyer këtë në rajonin më të kënaqur ekonomikisht” thuhet në publikim.
Monitor.al tregon se përsa i takon situatës financiare në 12 muajt në vazhdim,18 për qind e shqiptarëve presin që të jetë më keq ndërsa 54 për qind nuk presin asnjë ndryshim. Më mirë e presin 25 për qind e të anketuarve.
Kjo bën që shqiptarët të jenë një ndër popujt më të varfër në krahasim me 5 vendet e të tjera të rajonit, si Serbia, Bosnja, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi.
E njëjta anketë, e Këshillit të Kooperimit Rajonal, nxjerr një përqindje të lartë të tyre që kanë të vështirë të paguajnë faturat mujore të dritave dhe ujit, pagesën e qirasë, sigurimin e ushqimeve të nevojshme, ngrohjen e shtëpive dhe kalimin e pushimeve një javë jashtë vendit.
Duke renditur problematikat që shqetësojnë vendet nga papunësia te korrupsioni dhe mbrojtja e natyrës dhe trashëgimisë, barometri i Ballkanit tregon se papunësia, zhvillimi ekonomik mbajnë rekordin e shqetësimeve në rajon. Korrupsioni ndërkohë renditet i treti, por prevalenca e tij në rajon po rritet dhe në anketën e fundit me 31 për qind në raport me atë të vitit 2018.
Monitor.al shkruan se 26% e shqiptarëve në vitin 2019 nuk kishin mundësi të paguanin faturat e dritave dhe të ujit. Kjo ishte përqindja më e madhe në Rajon, ku vetëm 10 % e boshnjakeve kanë pohuar vështirësi në pagesën e tyre, 19 për qind e qytetarëve nga Kosova, 20 % e maqedonasve, 19% e qytetarëve të Malit të Zi dhe 17 për qind e serbeve.
Ndërkohë, 16% e shqiptarëve e kishin të paguanin huatë, ku 16 për qind e të pyeturve kanë pohuar se nuk kanë pasur mundësi të kryejnë pagesën, në raport me 9 për qind të boshnjakëve, 14 për qind e shtetasve nga Kosova, 13 për qind e maqedonasve, 14 % e malazezëve dhe 7% për qind të serbëve.