Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka kritikuar deputetët dhe partitë politike për vonimin e diskutimit dhe vendimin për Pakon Ekonomike, përcjell InLajmi.
Ahmeti ka shkruar në facebook ku thotë se derisa deputetët po i marrin pagat, qytetarët po i presin 170 euro për t’i paguar borxhet.
Ai thotë se shumë nga qytetarët janë të varur nga shuma prej 170 eurove, për t’i paguar borxhet, këstet e kredive e shpenzimet shëndetësore.
Postimi i plotë i tij:
E lus çdo politikan me ndërgjegjje, qeverinë e kuvendin, e partitë politike që vec ta mendojnë se ka shumë njerëz që po mendojnë se kur kanë me i marr 170 euro për me i pagu një pjesë të borxheve, ka shumë biznese që po presin se kur ka me pas një ndihmë për me mbijetu ekonomikisht familja, e shumë të tjerë që po mendojnë për shpenzimet shëndetësore, pagesën e rrymës, e datën e kestit të kredisë.
Këtë, posaçerisht ju lus ta mendoni kur i humbni më shumë se tetë orë në ditë tu kqyr qysh me ja lëshu nje kunxh partisë tjetër për me tregu qysh ju e keni pas mirë e ata keq.
Më falni, por nuk ka kurfarë arsyetimi me u vonu diskutimi dhe vendimi për pako ekonomike. Ky Kuvend nuk ish desht me dal prej salles deri ta arrin kompromisin për një pako substanciale ekonomike. Ditë e natë. Kur nuk merren vesh për 62 milion marrëveshje me Institucionet Financiare Ndërkombëtare, sinjali është që gjasat me kalu pako prej 1.2 miliard janë minimale.
Me rëndësi, pagat po ju ecin. Por si krejt politikanët, një ditë kena me ec prej shpije e ska me ju dëgju askush. Qysh jeni tu vepru, po shpresoj që qajo ditë vjen më shpejtë./InLajmi/