Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi, ka vazhduar polemikat e tij me LDK-në në lidhje me votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
Në Kuvendin e Kosovës është duke u diskutuar për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi, ka deklaruar se për shkak të mosmarrëveshjeve LDK-LVV, në qeverinë e kaluar nuk ka qenë e mundur edhe votimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare e as mbajtja e seancave.
Krasniqi ia ka bërë të qartë kryeministrit Avdullah Hoti, se PDK-ja do t’i votojë të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare në ditën që Hoti vepron njësoj si Ramush Haradinaj, i cili ka dhënë dorëheqje dhe ka kërkuar shpërndraje të Kuvendit të Kosovës.
Krasniqi, ka premtuar se në ditën që thirret seanca për shprëndarjen e Kuvendit të Kosovës dhe në atë seancë futen në rend të ditës votimi për marrëveshjet ndërkombëtare, PDK-ja do t’i votojë që të gjitha.

“Marrëveshjet e IPAS ma të rëndësishmet atë vit janë votuar në seancën e shpërndarjes së Kuvendit. Tash nëse e keni kaq me rëndësi, në momentin që ju jeni të gatshëm me dhënë dorëheqje edhe ne mblidhemi për me e shpërnda seancën unë po ju premtoj se krejt votat e PDK-së i keni për të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare. Do me thënë nëse vendosni me dhënë dorëheqje si ish-kryeministri Haradinaj edhe duhet me u shpërnda Kuvendi pas kësaj dorëheqje të juaj zotëri kryeministër, prapë ju premtoj se të gjitha marrëveshjet kemi me i shti në atë seancë të shpërndarjes së kuvendit dhe do t’i votojmë. Pro e vërteta është kjo, ju po flisni për fundin s’po folni për procesin. Në fund po thoni i kemi votuar, por s’po tregoni që nuk i keni votuar 7-8 herë”, ka thënë ndër të tjerash Krasniqi.