Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimeve antikushtetuese të Presidentit për shtyrjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar të komunës së Podujevës dhe Mitrovicës së veriut, raporton InLajmi.
Hajrullah Çeku tha se Kushtetuta si dhe konventat ndërkombëtare për të drejtat civile dhe politike garantojnë të drejtën e patjetërsueshme për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur.
Prandaj sipas tij, qytetarët e këtyre dy komunave po privohen nga e drejta për të pasur udhëheqës të tyre.
“Vendimi i Presidentit për shtyrjen e mbajtjes së zgjedhjeve në Besianë dhe Mitrovicë janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës, si dhe në kundërshtim me konventa ndërkombëtare të integruara në Kushtetutë si dhe me praktikat e mira dhe Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale”, tha ai.
Shkelje kushtetuese e ka quajtur ai shtyrjen e zgjedhjeve, duke shtuar se arsyetimi për mbrojtjen e shëndetit të qytetarë nuk qëndron, ngase të dielën u lejua mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë./InLajmi/