Separatistët jugorë në Jemen kanë marrë kontrollin mbi ishullin Socotra në Detin Arab, duke e hequr guvernatorin dhe duke i përzënë forcat e qeverisë të përkrahura nga Arabia Saudite, e cila e dënoi këtë veprim dhe e quajti grusht shtet.
Këshilli Jugor Tranzicional (STC) deklaroi vetë qeverisje në jug të shtetit në muajin prill, duke i komplikuar përpjekjet e OKB-së që të vendoset një armëpushim i përhershëm në luftën ku separatistët dhe qeveria dikur kanë luftuar si aleatë, në koalicion të udhëhequr nga sauditët, për të ndaluar grupin Houthi, të cilët e kontrollojnë veriun.
Të shtunën STC lajmëroi se kishte kapur ndërtesat e qeverisë dhe bazat ushtarake në ishullin kryesor të Socotra, arkipelag me banime të shpërndara, i vendosur në mes të Ngushticës së Adenit në Detin e Kuq, që është njëra nga rrugët më të frekuentuara të transportit detar në këtë rajon.
Qeveria e cila udhëhiqet nga Presidenti Abd-Rabbu Mansour e ka dënuar këtë veprim si një grushtshtet “të plotë” në këtë ishull dhe ka akuzuar forcat e STC-së se kanë sulmuar ndërtesat e qeverisë “me sjellje si të bandave kriminele”.
Burimet thanë për Reutersin javën që shkoi se Arabia Saudite, e cila ka provuar ndërmjetësimin në mes STC-së dhe grupit Houthi, ka prezantuar një propozim për të përfunduar kundërshtimin e separatistëve, por STC-ja ka thënë se nuk ka marrë asnjë propozim, raporton Reuters.
Arabia Saudite dëshiron të parandalojë zhvillimin e edhe të një fronti në luftën e Jemenit që tashmë ka shumë palë të përfshira.