Ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, është takuar me të dërguarin e Posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak, përcjell InLajmi.
Pas takimit, Haradinaj-Stublla deklaroi se Kosova është e vendosur që të zë vendin e saj të merituar në strukturat e Bashkimit Evropian.
“Shpreha qartazi indinjatën tonë me padrejtësinë dhe vonesat e tejzgjatura për agjendën e liberalizimit të vizave, të drejtë të cilën Kosova e ka fituar me përmbushjen e të gjitha kritereve”, tha Haradinaj-Stublla.
Positimi i saj i plotë:
Kosova, historikisht dhe gjeografikisht i përket Evropës dhe është e vendosur që të zë vendin e vet të merituar në strukturat e Bashkimit Evropian.
Takimi i sotëm me të dërguarin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, shërbeu për të shprehur qartazi indinjatën tonë me padrejtësinë dhe vonesat e tejzgjatura për agjendën e liberalizimit të vizave, të drejtë të cilën Kosova e ka fituar me përmbushjen e të gjitha kritereve.
Po ashtu shpalosa qëndrimin unik të Kosovës për gatishmërinë e arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë për njohje reciproke në kufijtë ekzistues dhe në koordinim të plotë me ShBA-të dhe me ndihmën e Bashkimit Evropian.
Gjithashtu, shpreha nevojën që edhe BE të punojë në një dinamikë të re, që të shtyjë përpara njohjen e Republikës së Kosovës edhe nga pesë vendet anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën. /InLajmi/

















