Pandemia e koronavirusit që ka prekur gjithë globin po vazhdon të jetë prezent ende në mesin tonë. Numri i rasteve me infektime të reja dhe vdekje nga koronavirusi po vazhdon të rritet. Nga ky virus janë infektuar më shumë se 8 milionë, ndërsa kanë vdekur rreth 500 mijë njerëz.
Virusi ka prekur persona nga bizneset e ndryshme, si dhe institucionet private dhe ato publike. Pa u prekur me virus nuk kanë mbetur as pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Infektimin e dy ushtarëve këtyre ditëve e konfirmojnë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus edhe nga Ministria e Mbrojtjes.
“Që nga fillimi i pandemisë COVID -19, në FSK kanë qenë 9 raste pozitive, 7 janë të shëruar plotësisht dhe 2 raste të reja janë duke u trajtuar në vetë izolim”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes, duke mos dhënë shumë detaje për rastet e fundit.
Njëri nga pjesëtarët e prekur me Covid-19 është i angazhuar në kazermën “Adem Jashari”, në Prishtinë.
Ndryshe nga 8 shkurti deri më 16 qershor 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 19.312 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2.