Kryeministri Avdullah Hoti në diskutimin e KDI-së me temë “Cila është platforma e Qeverisë së Kosovës në dialogun me Serbinë?”, tregoi për objektivat e Kosovë në dialog dhe radhiti disa pika në të cilat nuk do të lëshojë pe, raporton InLajmi.
Hoti tha se qëllimi kryesor është marrja e njohjes nga Serbia dhe pas saj integrimi i Kosovës në strukturat euroatlantike.
I pari i vendit tha se nuk ka asgjë të re në bazën e dialogimit, por tha se transparenca do të jetë në plan të parë në raport me partitë tjera politike dhe Kuvendin.
“Qasja jonë do të jetë për të siguruar transparencë të plotë gjatë këtij procesi që është procesi më jetik që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës, konsolidimi i shtetësisë së Kosovës”, tha kryeministri Hoti.
Ai tha se që nga viti 2011 është dialoguar për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por se tani e tutje do të zhvillohet për njohje reciproke. /InLajmi/