80 banorë të komunës së Vushtrrisë po i presin rezultatet e testimeve për COVID-19. Nga to, 49 janë ritestime, ndërkaq 31 testime të reja.
Drejtori i Shëndetësisë në Vushtrri, Sylejman Meholli, ka thënë për Express se po priten rezultatet edhe të ditës së martë, ku janë marrë 53 mostra.
“Të martën janë marrë 53 mostra. Nga to, 26 janë kontakte dhe 27 ritestime”, tha Meholli.
Ai ka thënë se të mërkurën në komunën e Vushtrrisë janë marrë 37 mostra tjera.
“Sot janë marrë 37 mostra. Nga to, 15 janë testime të reja nga kontaktet e personave të infektuar, ndërkaq 22 tjera janë ritestime të personave që janë me koronavirus, për të parë nëse janë shëruar apo jo”, ka deklaruar Meholli.
Vushtrria është vendi i dytë me më së shumti raste aktive me koronavirus në Kosovë.
197 persona po përballen me koronavirusin, derisa 28 janë shëruar dhe 2 kanë vdekur.
Ndërkohë, nga data 8 shkurt deri më 16 qershor, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, janë testuar gjithsej 19 mijë e 312 persona të dyshimtë me virusin SARS-COV-2.
Prej tyre, pozitive kanë rezultuar 1 mijë e 756 raste, nga të cilat janë shëruar 968 dhe kanë vdekur 34 persona.