Anëtari i Kryesisë PDK-së, mjeku Ilir Kurtishi ka alarmuar se Qeveria aktuale e kryeministrit Avdullah Hoti është duke vazhduar gabimet e ish-qeverisë së Albin Kurtit në menaxhimin e keq të pandemisë COVID-19, raporton InLajmi.
Kurtishi tha se që nga fillimi i pandemisë, PDK ka dalë me rekomandime konkrete se si të bëhet menaxhimi i saj, por siç tha ai, Qeveria Kurti bëri politikë me pandeminë, duke keqpërdorur me sëmundjen sa ishin në pushtet e duke abuzuar qytetarët që i ftuan në protesta në mes pandemisë.
“Kulmi i papërgjegjësisë përballë pandemisë u demonstrua me organizimin e një tubimi e koncerti nga Vetëvendosje, në sheshin e Prishtinës, ku u përfshinë edhe ish krerët dhe zyrtarët e lartë të qeverisë, dhjetë ditë pasi u larguan nga pushteti. Sa ishin vetë në Qeveri, ftonin për kujdes dhe distancë sociale. Kur dolën prej saj, nuk u mërzitën për shëndetin dhe jetën e qytetarëve” tha ai në një konferencë për media.
Sipas tij Qeveria aktuale po përdor të njëjtën qasje që kemi dëgjuar para tre muajve, e që në realitet maskon paaftësinë në luftën kundër koronavirusit./InLajmi/