Departamenti i Përgjithshëm i Gjykatës Themelore në Pejë ka caktuar masën e arrestit shtëpiak për katër personat që sulmuan zyrtarët policorë të shtunën në Vitomiricë, ku u gjetën dy trupa të pajetë, përcjell InLajmi.
Rasti ka ndodhur të shtunën në fshatin Vitomiricë të Pejës, ku katër personat e dyshuar kanë sulmuar zyrtarët policorë të cilët nuk i kanë lejuar të hyjnë në vendin e ngjarjes ku dyshohet se një 58-vjeçar ka vrarë një 16 vjeçe e më pas ka bërë vetëvrasje.
Gjykata Themelore në Pejë përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se ndaj të dyshuarve është caktuar masa e arrestit shtëpiak pasi kanë sulmuar zyrtarët policorë duke iu shkaktuar lëndime të lehta trupore.
“15 qershor 2020 – Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti i Përgjithshëm, ka caktuar masën e arrestit shtëpiak ndaj të pandehurve F.K, A.K, T.K, dhe L.R për shkak të dyshimit të bazuar se: Me datë 13.06.2020, në bashkëkryerje sulmojnë personat zyrtar të Policisë lidhur me detyrat zyrtare duke iu shkaktuar lëndime të lehta trupore”, bëhet e ditur në njoftim.
Masa e arrestit shtëpiak është caktuar në kohëzgjatje prej një muaji.
“Me këto veprime të pandehurit F.K, A.K, T.K, dhe L.R dyshohet se kanë kryer veprën penale sulm ndaj personit zyrtar, për çka me qëllim të sigurimi të prezencës së tyre në procedurë të mëtejme iu është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një (1) muaji”, theksohet në njoftim./InLajmi/