Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, për nderë të ditës së Çlirimit të Pejës, Deçanin dhe Malishevë, ka thënë se lufta e UÇK-së i dha fund një epoke të errët që shkaktoi shumë tragjedi e vuajtje, përcjell InLajmi
Haradinaj në facebook ka kujtuar luftëtarët e brigadave që kanë luftuar në ato anë, duke thënë se një pjesë të tyre i kishte njohur që nga fillet e rezistencës së armatosur.
Postimi i plotë:
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i dha fund një epoke të errët që shkaktoi shumë tragjedi e vuajtje. Peja, Deçani e Malisheva sot shënojnë Ditën e Çlirimit duke kujtuar guximin dhe sakrificën e luftëtarëve të lirisë, brigadave 131 “Jusuf Gërvalla”, 133 “Adrian Krasniqi”, 135 “Agim Zeneli”, 136 “Rugova”, 121 “Kumanova” e 122 “Imer Krasniqi”.
Një pjesë të tyre, i njoha që nga fillet e rezistencës së armatosur, e u ndanë nga ne duke fituar përjetësinë.
Falënderues edhe për miqtë e ditëve të rënda, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Aleancën Veriatlantike, që u pozicionuan dhe u bënë aleatë me një popull që kanosej nga shfarosja. /InLajmi/