Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik Naser Ramadani ka thënë se qytetarët e Kosovës nuk i janë përmbajtur rekomandimeve të profesionistëve shëndetësorë, prandaj edhe ka rritje të numrit të rasteve me COVID-19, raporton InLajmi.
“Në këto dy javë të lehtësimit të masave kur kemi menduar që çdo qytetar do të jetë i pavarur në ndërmarrjen e masave të thjeshta dhe të përditshme të sjelljeve të tyre të përditshme , që kanë të bëjnë me mbajtjen e maskave dhe higjienën e tyre personale, unë po ju them në emër të IKSHPK-së me përgjegjësi të plotë se kjo nuk është arritur”.
“Qytetarët nuk e kanë dhënë provimin sepse nuk i janë përmbajtur rekomandimeve në pjesën më të madhe të tyre dhe për këtë kemi rritje të numrit të rasteve javën e kaluar dhe në prognozën e IKSHPK-së do të kemi rritje të numrit të rasteve edhe këtë javë”.
Ramadani këto komente i ka bërë gjatë prezantimit të Manualit për mbrojtje nga përhapja e virusit COVID-19 nga Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj.
Ai ka thënë se nëse nuk respektohen rekomandimet e dala nga ky manual, që i ka përmbledhur në tri kryesore, mbajtja e distancës, mbajtja e maskës dhe larja e rregullt e duarve do të ketë kthim në pikën zero./InLajmi/