Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), po konsideron se Policia e Kosovës nuk është dashur të lejojë aktivitetin politik të Lëvizjes Vetëvendosje, ku pjesmarrësit shkelën rregullat ndaj pandemisë, përcjell InLajmi.
KMDLNJ thotë ky manifestim nuk duhej të lejohej, ku në anën tjetër është ndaluar puna e gastronomëve dhe artistëve.
Ndonëse numri i të infektuarve nga COVID- 19, pas largimit të masave shtrënguese po shënon rritje, KMDLNJ vlerëson se qeveria e Kosovës ka bërë mirë për këto masa aq më parë që thuaja të gjitha vendet kanë filluar t’i kthehen normalitetit. Shumica e bizneseve janë hapur nën kushte të reja në përputhje me situatën e krijuar. Deri më tani ka ndalesë vetëm për gastronomët dhe artistët. Është ndaluar organizimi i dasmave dhe ahengjeve familjare në ndërkohë që lejohen manifestimet politike dhe partiake ku nuk respektohen aspak kriteret e përcaktuara nga institucionet e Kosovës”, thuhet në reagimin e KMDLNJ’së.
KMDLNJ po kërkon nga Ministria e Shëndetësisë që të lejojë punën e gastronimëve dhe organizimin e dasmave dhe ngjarjeve sportive, me praninë e një numri të tifozëve, duke ruajtur distancën./InLajmi/