Presidenti Stevo Pendarovski, dje vlerësoi se nuk ka nevojë për gjendje të re të jashtëzakonshme në vend, gjendje e cila në Maqedoninë e Veriut kishte filluar prej 18 marsit.
Në fjalimin e tij të djeshëm ai tha se ekziston rregullativë ligjore në rast se krijohet nevoja që të zbatohen masat siç janë ora policore ose masa tjera parandaluese.
Në lidhje me çështjen e zgjedhjeve, ai i ftoi kryetarët e LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, Zoran Zaev dhe Hristijan Mickoski që të takohen për të caktuar datë.
“Nëse nuk merremi vesh për datë të përbashkët, për zgjedhje gjithëpërfshirëse, ajo do të shkaktojë hyrje në krizë të thellë politike. Dëshiroj të dërgoj thirrje publike deri te dy liderët e LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, Zoran Zaev dhe Hristijan Mickoski, të ulemi që sot dhe të gjejmë zgjidhje. Nëse nuk merremi vesh, do ta hapin derën për një krizë edhe më të madhe, me të cilën do t’i varrosim përpjekjet tona për t’i dhënë fund kësaj krize”, tha Pendarovski, duke shtuar që me liderët tjerë kontakton çdo ditë dhe të njëjtët kanë qëndrim për datën e zgjedhjeve, njofton Portalb.mk
Këtë ftesë dje e pranuan të dy liderët, duke realizuar një takim në presidencë, takim i cili nuk mbaroi me një datë për mbajtjen e zgjedhjeve. Megjithatë, pritet takimi të vazhdojë në ditët në vazhdim.