Ish-Oficeri i UÇK-së nga Shqipëria, Driton Goxhaj në një intervistë për Euronews Albania ka folur për luftën e fundit në Kosovë në 21 vjetorin e Ditës së Çlirimit dhe futjen e NATO-së në Kosovë, përcjell InLajmi.
Goxhaj ka thënë se komandantët e Shtabit të Përgjithshëm e kanë humbur kontributin që e patën gjatë luftës duke e privatizuar luftën dhe duke shkatërruar Kosovën dhe reputacionin e UÇK-së.
“Në Kosovë përveç ushtarëve të thjeshtë, pjesa tjetër e komandantëve e kanë humbur atë aureolën që e krijuan gjatë luftës, pasi pothuajse e privatizuan luftën dhe në këtë privatizim të luftës ata arritën të shkatërrojnë edhe Kosovën edhe luftën edhe reputacionin e UÇK-së”, ka thënë Goxhaj.
Goxhaj ka pasur autorizimin e Shtabit të Përgjithshëm që të mbante kontakte me komandën e forcave amerikane në Shqipëri. /InLajmi/