Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakajn me të cilin kanë biseduar për raportet Prishtinë-Tiranë, përcjell InLajmi.
Lajmin për këtë e ka bërë të ditur Haradinaj-Stublla, duke thënë se raportet Kosovë-Shqipëri nuk lëkunden nga themelet e forta që u janë vendosur.
“Marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri nuk lëvizin nga themelet e forta që na mbajnë bashkë në çdo kohë. Roli i Shqipërisë ka qenë ndër shtyllat kryesore të mbijetesës sonë në shekullin e kaluar, të çlirimit dhe pavarësisë”, thuhet në njoftimin e ministres.
Haradinaj-Stbulla thotë se me Cakajn kanë biseduar edhe për bashkërendimin e veprimeve për të realizuar detyrat shtetërore drejt integrimit në strukturat euro-atlantike.
Postimi i plotë i saj:
Kam zhvilluar një bisedë të ngrohtë telefonike me homologun tim shqiptar, z.Gent Cakaj.
Marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri nuk lëvizin nga themelet e forta që na mbajnë bashkë në çdo kohë. Roli i Shqipërisë ka qenë ndër shtyllat kryesore të mbijetesës sonë në shekullin e kaluar, të çlirimit dhe pavarësisë.
Me z.Cakaj rikonfirmuam vullnetin që bashkarisht, si dy shtete, do jemi krah për krah në realizimin e detyrave tona shtetërore e kombëtare, e poashtu edhe gadishmërinë e realizimit të vizionit euro-atlantik të vendeve tona. /InLajmi/