Shoqata e transportit publik në Zvicër, nuk dëshiron të vendosë detyrimin për vënie të maskave mbrojtëse, ani pse pas zhbllokimit, trenat janë përsëri më të mbushur me njerëz.
Në Bernë, për shkak të një problemi teknik, u desh që pasagjerët e disa trenave të grumbulloheshin në një tren të vetëm. Kjo bëri që në atë tren të bëhej një tollovi e konsiderueshme, ashtu që nuk mund të bëhej më fjalë për mbajtjen e distancës në mes të udhëtarëve. Edhe në këtë tollovi, ishin shumë të rrallë ata që bartnin maska.
Dhe kjo është pikërisht ajo që autoritetet duan të parandalojnë në luftën kundër koronavirusit, shkruan srf.ch.
Një situatë e pakënaqshme, thotë Ueli Stückelberger, drejtues i Shoqatës së Transportit Publik, transmeton albinfo.ch. Operatorët hekurudhorë dhe autobusët rekomandojnë vënien e maskës nëse nuk mund të sigurohet distanca prej dy metrash.
Qeveria federale është përgjegjëse për këtë pasiguri, thotë Stückelberger: “Zyra Federale e Shëndetit Publik (BAG) ka bërë një ndërhyrje në fillim, sa u përket maskave, duke komunikuar se vënia e tyre është e padobishme. Njerëzit ende kanë këtë bindje të krijuar që atëherë. Ne dyshojmë fort se kjo është arsyeja pse njerëzit nuk mbajnë më maska, edhe nëse rekomandohet”, transmeton EO.

Shoqata e Transportit Publik vazhdon të mbështetet në përgjegjësinë personale të udhëtarëve, përcjell albinfo.ch. Stückelberger rekomandon që të gjithë udhëtarët të kenë gjithmonë një maskë me vete, për ta përdorur në rastet kur krijohen tollovi në tren ose autobus.