Bordi i përkohshëm i “Trepçës”, i emëruar nga Qeveria Kurti, në mbledhjen që ka mbajtur ditën e djeshme ka vendosur që ta dërgojë në shkallë të dytë vendimin e Inspektoratit të Punës që ishte pro kthimit në vendin e punës të ish-kryeshefit të “Trepçës” Basri Ibrahimi.
Lidhur me këtë, ish-kryeshefi ekzekutiv i kombinatit “Trepça”, Basri Ibrahimi, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se është vendosur që çështja e tij të shkojë në shkallë të dytë, dhe sipas tij, vendim është i kundërligjshëm pasi Bordi i Përkohshëm nuk ka pasur kuorumin e mjaftueshëm.
“Me sa kam marrë informata ata kanë vendosur që këtë çështje ta dërgojnë në shkallë të dytë, por ju themi se ky vendim është i kundërligjshëm pasi ai bord fillimisht nuk ka pasur kuorum dhe përbëhet nga katër persona. Unë do ta pres vendimin e shkallës së dytë, megjithatë nuk ka asnjë bazë ligjore pasi është konstatuar se nuk ka kuorum”, ka thënë Ibrahimi.
Kurse, kryesuesi i Bordit të përkohshëm të “Trepçës”, Hysen Sylejmani, ka thënë se bordi ka plotësisht të drejtë që të marrë vendim edhe me katër anëtarë.