Ish-kryeministri i Kosovës dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka bërë homazhe te varri i legjendës së futbollit shqiptar Fadil Vokrri, në dyvjetorin e vdekjes së tij, shkruan InLajmi.
I pari i Lëvizjes Vetëvendosje së bashku me deputetët Shpejtim Bulliqi, Saranda Bogujevci, Fitim Haziri dhe Yll Rugova nderuan veprën dhe jetën e Fadil Vokrrit.
Kurti vlerësoi lartë karrierën e Vokrrit si futbollist, ku u shpreh se fitoret e klubit të Prishtinës lidhen me emrin e tij.
“Fitoret e Prishtinës ishin të lidhura me emrin e tij. Vokrri ishte arsyeja e fitores sepse kur topi ishte në këmbën e tij ai e pushtonte fushën”, shkruan Kurti.
Postimi i plotë i Albin Kurtit në facebook:
Bashkë me deputetët z. Shpejtim Bulliqi, znj. Saranda Bogujevci, z. Fitim Haziri dhe z. Yll Rugova nderuam veprën dhe jetën e Fadil Vokrrit, legjendës së futbollit e të sportit, në dy vjetorin e vdekjes së tij.
Fitoret e Prishtinës ishin të lidhura me emrin e tij. Vokrri ishte arsyeja e fitores sepse kur topi ishte në këmbën e tij ai e pushtonte fushën. Tregojnë bashkëlojtarët e tij me gjysëm shaka: ‘kur ndeshja ishte sfilitëse dhe donim të pushonim ia kalonim topin Fadilit’. Kështu ishte edhe në Federatë. Punoi shumë e pa u lodhur për pasionin e vajzave e djemve tanë.
Fadil Vokrri ndërroi jetë në mënyrë tragjike më 9 qershor të vitit 2018, pas një sulmi në zemër. U nda nga jeta në moshën 57-vjeçare, sa ishte kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës. /InLajmi/