Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kërkoi që të respektohen rekomandimet e institucioneve ndaj koronavirusit, në mënyrë që sipas tij, mos të kthehen masat rigoroze, raporton InLajmi.
Ai në një konferencë për media tha pandemia nuk ka kaluar ende dhe po rriten numri i të infektuarve.
“Pandemia nuk ka kaluar dhe numri po rritet. Ky rrezik e përmbys punën që kanë bërë profesionistët e mjekët”.
“Ta ruajmë distancën të mbajmë maskat dhe të kujdesemi për higjienën përmes këtyre ne ruajmë jetën dhe ekonominë tonë”.
Presidenti foli edhe për gjendjen e jashtëzakonshme në vend.
“Gjendja e jashtëzakonshme, edhe si term gjithmonë e kam urryer edhe në kohën e Serbisë, ideja e partive që është drejtuar presidentit kam pasur obligim kushtetues që ta procedoj, çka mund të them unë kurrë nuk kam pasur ndonjë pretendim sa i përket asaj gjendje, vetëm synim për të implementuar vullnetin e partive dhe shëndetin. Ideja ka qenë që të kemi sa më pak viktima dhe sa më pak të infektuar”, ka thënë ai.
“Nëse ka përkeqësim të gjendjes institucionet do të detyrohen t’i kthejnë masat”, tha ai./InLajmi/