Bletra Deliu-Kodra, deputete nga rradhët e PDK-së, ka reaguar ndaj Kryeparlamentarës Vjosa Osmanit, në lidhej me atë që ka thënë se Thaçi duhet të deklarohet para qytetarëve dhe t’i garantojë ata se ka hequr dorë nga ideja e tij për korrigjimin e kufijve, shkruan InLajmi
Lidhur me këtë deklaratë, Deliu thotë se paranoja dhe të pavërteta të tilla kur provohen të bëhen prej pozicionit opozitar, mund edhe të kuptohet, por kur këtë e bënë prej pozicionit institucional, sipas Deliut, e ofendon institucionin që përfaqëson.
Postimi i plotë:
“Të provosh të bësh politikë duke mbjellur paranoja, shpërndarë të pavërteta e përhapur mjegull mund të kuptohet në njëfarë mënyre prej pozicionit opozitar. Por, kur këtë e bënë prej pozicionit institucional, ofendon institucionin që përfaqëson.
Fati i Kosovës është përcaktim kolektiv dhe tingëllon qesharake kur provohet të reduktohet në një individ të vetëm, pavarësisht pozitës shtetërore që bart.
Kuvendi i Kosovës si institucion burimor i vullnetit të popullit është bartësi i vetëm i sovranitetit. Ai është deklaruar dhe çdo dilemë e ngritur me qëllim të personalizimit të kësaj çështje është thjesht një lojë e ulët politike për poena të ulët elektoral.
Një proverb i amerikanëve autoktonë (native americans) thotë: Tokën nuk e trashëgojmë nga paraardhësit, atë e huazojmë nga fëmijët tanë!
Integriteti territorial i Kosovës është i padiskutueshëm. Atë do t’ua dorëzojmë fëmijëve tanë në tërësinë që ua kem huazuar!”./InLajmi/