Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka shkarkuar nënkryetarin e Komunës së Prizrenit dhe tre drejtorë komunalë që vijnë nga LDK-ja, me të cilën deri më sot VV-ja ka qenë në bashkëqeverisje në këtë komunë.
Vendimi është marrë sot, merr vesh Gazeta Online ‘Reporteri.net’. Ky vendin vjen një ditë pasi Avdullah Hoti i LDK-së ka marrë zyrtarisht detyrën e Kryeministrit të vendit, që pason ish-kryeministrin Albin Kurti që është kryetar i partisë së Haskukes.
Të shkarkuar me vendim të Haskukes, sic merr vesh Reporteri.net, janë nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Eshref Memaj; Drejtori i Urbanizmit, Fatmir Memaj; Drejtori i Bujqësisë, Egzon Elshani dhe Drejtori i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fejzë Kabashi.
VV dhe LDK kanë bashkëqeverisur në nivel vendi për rreth 50 ditë, koalicion ky që përfundoi me mocion mosbesimi ndaj ish-kryeministrit Kurti të iniciuar nga LDK-ja.