Rastet e astmës dhe rinitit janë dyfishuar në 30 vitet e fundit dhe në përgjithësi, të gjitha çrregullimet e frymëmarrjes janë në rritje që nga viti 1985. Kështu thotë një hulumtim i Institutit të Fiziologjisë Klinike në Këshillin Kombëtar të Kërkimeve të Pizës
Fajtorë janë ndotja, por edhe stili jo i shëndetshëm i jetesës që prek veçanërisht fëmijët. Dhe gjithashtu shkaqet gjenetike.
Në veçanti, astma është një nga sëmundjet më të zakonshme gjatë foshnjërisë, një patologji kronike shumë e përhapur mes të vegjëlve që ndikon në cilësinë e jetës dhe shumicën e rasteve, manifeston simptomat e saj gjatë 4 viteve të para të jetës
së fëmijës.
Çfarë është astma?
Astma karakterizohet nga një ngushtim kalimtar i traktit të frymëmarrjes, gjë që e vështirëson frymëmarrjen, e shkaktuar kryesisht nga tkurrja e muskujve të bronkeve, pezmatimi dhe ënjtja e mukozës bronkiale dhe rritja e sekretimit të mukusit.
Shkaqet e astmës tek fëmijët
Astma mund të jetë me natyrë alergjike ose infektive. Ndërsa në rastin e parë alergjenët mund të jenë pluhuri, poleni, qimet e kafshëve ose disa ushqime, në rastin e dytë astma mund të shkaktohet nga viruset që sulmojnë traktin respirator. Në disa raste, edhe disa medikamente, i ftohti dhe sforcimet fizike mund të përcaktojnë fillimin e astmës.
















