Kryeministri Albin Kurti u shkarkua nga Kuvendi i Kosovës, pak ditë pasi shkarkoi vartësin e tij në Ministrinë e Punëve të Brendshme, nënkryetarin e LDK-së, Agim Veliu.
Menjëherë pas shkarkimit, Veliu i LDK-së u deklarua për media dhe bëri bujë deklarata e tij “shenjë s’ma ka lënë”.
E me krijimin e Qeverisë së re që pritet të hidhet në votim nesër, Agim Veliu do të kthehet në Ministrinë e Punëve të Brendshme, por tani me një shef të ri. Veliu do të udhëheqë këtë dikaster të rëndësishëm në Qeverinë që udhëhiqet nga Avdullah Hoti.
Se Veliu do të jetë në krye të MPB-së, e kanë konfirmuar burime të Reporterit brenda mbledhjes së Kryesisë së LDK-së. Një anëtar i Kryesisë i ka thënë gazetës së Veliu do të jetë sërish i propozuari i LDK-së.
Ndërkohë, në Kryesinë e partisë që do të udhëheqë me Kryeministrinë po diskutohet akoma për emra të tjerë. Reporteri mëson se të gjithë emrat e ministrave që ishin pjesë e Qeverisë Kurti, janë propozuar sërish. Mirëpo, vetëm Lumir Abdixhiku është duke refuzuar ende.
Sidoqoftë, LDK-ja nuk ka unanimitet, pasi edhe në Kryesi ka kundërshtime të ashpra edhe për vetë Qeverinë Hoti. Vjosa Osmani akoma është kategorike kundër kësaj Qeverie, dhe sot bëri thirrje për një qeveri teknike pa kryeministër nga LDK-ja