Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi ka reaguar pas deklaratës së kandidatit për kryeministër nga LDK Avdullah Hoti, i cili tha se veprimet e fundit të Qeverisë Kurti nuk do të ndihmojnë vendin, shkruan InLajmi.
Bislimi përmes rrjetit social facebook ka thënë se të kërkosh nga Serbia të sjellë mallra me të njëjtat kritere me të cilat i lejon mallrat e vendin tonë të hynë në Serbi nuk nënkupton kurth për Kosovën.
Bislimi Hotin e quan “margaritarë të kremës së dijes politike”, që me këtë të fundit lë të kuptohet se e ka fjalën për Hotin.
Postimi i plotë:
“Margaritarët e Hotit
Krema e dijes politike Hoti paska deklaruar:
1. “Veprimet e fundit nga Qeveria në detyrë nuk e ndihmojnë vendin , por e kurthojnë atë” – të kërkosh që Serbia të sjellë mallëra me të njejtat kritere me të cilat i lejon mallrat e vendit tonë të hyjnë në Serbi qenka kurthe për Kosovën?
2. ” Është e ditur se reciprociteti është pjesë organike e strukturës tonë ligjore.” – Cilës strukturë? Cilit ligj? A do ta aplikojë Hoti këtë strukturë dhe këtë ligj?
3. “Por, ne sot kemi nevojë ta mbështesim dialogun” – Ashtu siq e kemi mbështetur për Zajednicën? Për një demarkacion të ri? Paska vuajtur dialogu nga mos-mbështetja jonë, dhe nuk paska mjaftuar mbështetja që i ka dhënë Hoti?
4. “Qeveria e re do të koordinohet me partnerët strategjikë të Kosovës duke hequr çdo pengesë për dialog” – A është pranim public I Hotit që Serbia qenka pala konstruktive këtu e ne ata që e paskëshim penguar atë deri më tani? A është kjo arsyeja që Vuqiqi po i gëzohet ardhjes së Hotit?
5. “Vetëm përmes këtij koordinimi ne e avancojmë pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe ia heqim Serbisë alibinë për ta zvarritur marrëveshjen për njohjen reciproke” – A nuk është kjo kundërthënëse me fjalinë e mësipërme? Një fjali më lartë Hoti e pranon që ne e paskemi penguar dialogun, rrjedhimisht Serbia paska patur të drejtë të zvarrisë dhe nuk qenka fjala për alibi. NE, duke mos e dëgjuar Hotin e paskemi detyruar Serbinë që të zvarrisë dialogun, “ me siguri e frikësuar shumë” që pala kosovare do del fituese nga ky dialog, ashtu si ka dalë në të gjitha raundet e mëparme të bisedimeve, në të cilat pala Thaqi-Hoti, në vazhdimësi e ka gërryer sovranitetin e Serbisë në territorin e saj”, ka shkruar ai. /InLajmi/