Këshilli Gjyqësor i Kosovës duke respektuar rekomandimet e IKSHP-së, nën masat e mbrojtjes nga pandemia COVID-19, ka mbajtur takimin e 233-të me radhë, nën udhëheqjen e Kryesuesit, Skender Çoçaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.
Takimi filloi me diskutimin rreth gjendjes aktuale me situatën Covid-19 në sistemin gjyqësor, planet e Këshillit lidhur me fillimin e punës në gjyqësor, si dhe prioritetet që do të përcaktohen për trajtimin e rasteve gjyqësore.
Pas shumë diskutimeve dhe duke u bazuar në heqjen e kufizimeve të lëvizjes nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë (MSH) dhe me rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK), Këshilli Gjyqësor i Kosovës mori vendim që nga 1 qershori 2020 të fillojë puna në të gjitha gjykatat e Republikës së Kosovës, por pa prezencën e mediave dhe publikut, duke zbatuar rekomandimet e IKSHP për masat kundër virusit COVID-19. Vendimi i plotë do të publikohet sapo të jetë gati.
Anëtarët e KGJK-së, aprovuan draft propozimin për Planin emergjent për menaxhimin e krizës të përgatitur nga Komisioni për Administrimin e Gjykatave dhe Komisioni për Çështje Normative, qëllimi i të cilit është sigurimi i mbarëvajtjes së punës në sistemin gjyqësor të Kosovës duke iu përshtatur rrethanave emergjente. Gjithashtu, ky Plan mund të shërbejë si dokument bazë për menaxhimin e krizave në të ardhmen duke përfshirë situatat e tjera emergjente shëndetësore, katastrofat natyrore apo rrethanave të kërcënimeve të sigurisë.
Gjatë këtij takimi, Këshilli aprovoi njoftimin e Departamentit të Administratës së Përgjithshme – SKGjK, për pensionimin e tre gjyqtarëve, dy (2) nga Gjykata e Apelit në Prishtinë dhe një (1) në Gjykatën Themelore në Prizren-dega në Dragash.
Anëtarët e KGjK-së, shqyrtuan propozimin e Kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi, për caktimin e ushtruesit të detyrës së Administratorit të Gjykatës dhe dhanë pëlqimin që Drejtori i SKGjK-së të nxjerr vendim për caktimin e ud i Administratorit.
Po ashtu, gjatë këtij takimi Drejtori i Përgjithshëm të Sekretariatit të KGjK-së, Shkëlzen Maliqi, raportoi për punën e SKGjK-së, për vitin 2019 dhe periudhën janar-maj 2020.
Në fund, u aprovua propozimi që gjykatat në Kosovë të mbajnë evidencë dhe të lëshojnë certifikata për personat të cilët janë shpallur fajtorë me aktgjykim të formës së prerë. Ndërsa, pa prezencën e mediave u shqyrtua kërkesa për themelimin e një paneli hetimor, përcjell EO.
KGjK, iu dha mundësinë të gjitha mediave dhe Organizatave Jo Qeveritare (OJQ), të interesuara që përmes video konferencës (platformës online) të përcjellin këtë mbledhje.