Në seancën e rregullt të Kuvendit komunal të Ferizajt, të premte është debatuar puna e qeverisë lokale për vitin e kaluar.
Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, para këshilltarëve ka prezantuar raportin e punës së ekzekutivit komunal, duke përshkruar objektivat e arritura në këtë periudhë kohore.
Numri një i qytetit të Ferizajt, Agim Aliu, në këtë mbledhje ka shtuar se shpenzimi racional i buxhetit dhe ulja e shpenzimeve kanë qenë prioritetet e qeverisjes së tij.
“Bizneset përfituan nga vendimi që morëm për heqjen e taksës për ushtrimin e veprimtarive, të papunët i asistuam në procesin e punësimit në mbi 500 vende të lira pune në ekonominë private Në infrastrukturën rrugore e shërbimet publike, rilindëm shërbimet në fshat e qytet. Nisëm procedurat për rikonstruktimin e rrugës nga ura në Bibaj deri tek kyçja në autostradën “Arbën Xhaferri”.
Njëkohshëm edhe perlës së turizmit ferizajas, maleve të lakmueshme të Jezercit, po i japim dimensionin e zhvillimit me procedurat që nisëm për përfundimin e infrastrukturës rrugore në gjithë këtë trup me peshë turistike.
54 kilometër rrugë e mijëra banorë që jetojnë skaj tyre, nuk do ta çelin më ditën mes baltës. Asfaltuam ato bashkë me rregullimin e mbi 6 kilometër trotuare, 1,4 kilometër rrjet ujësjellësi e rregullim të 16 kilometrave kanal atmosferik.
Ferizaj ndriçon në shumicën e rrugëve. Vetëm gjatë 2019-tës shtrimë mbi 4 kilometër rrjetin e ndriçimit publik e më të kërkuarat investime për të zbrazur trafikun janë edhe investimet që bëmë në 4 kilometër shteg të çiklistëve.
Edhe në pikëpamje të projekteve madhore, shumë nga to janë në stadin më të zhvilluar tashmë, e janë pak muaj që ndajnë ferizajasit nga dobia e drejtpërdrejt e tyre.
2019-tën e mbyllëm edhe me procedurat për projektin strategjik të ndërtimit të Fabrikës së Ujit në Talinoc të Muhaxherëve. Si më të shtrenjtën e pjesë të pandashme të programit e vendimmarrjes sime të përditshme politike janë edhe investimet që kryem në nisma komunitare, mbrojtjen e familjes, me theks të veçantë përkrahja e parezervë për grupimet sociale në luftë kundër narkotikëve e dukurive tjera devijonte”, ka potencuar Kryetari Aliu.
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu duke raportuar për punën njëvjeçare të Komunës duke thënë se rëndësi e veçante i është kushtuar edhe luftës kundër amoralitetit, veprave devijonte ku përmes Inspektoratit të Komunës janë kryer mbi 1000 kontrolle inspektuese që rezultuan me mbylljen e kazinove, bastoreve, qendrave të masazhit si dhe dhjetëra lokaleve në veprimtare devijonte të dyshimta.
Kryetari tutje ka folur edhe për të arriturat në arsim, shëndetësi, por edhe heqjen e mbi 50 deponive ilegale të mbeturinave me mbi 1700 tonelata mbeturina, vendosjen e 700 kontejnerëve familjar në afërsi të objekteve të banimit kolektiv, mbjelljen e mbi 30,000 luleve e mbi 400 drunjve dekorativ, pastrimin e 72 kilometrave kanal ujor dhe shtretër lumenjsh – të gjitha këto për pastërtinë, mbrojtjen e ambientit, që sidomos këto kohë, u vërtetua për të satën herë, që është domosdoja e shëndetit publik.

















