Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ka organizuar faljen e xhumasë në të gjitha xhamitë e vendit, pas dy muajve prej kur masat kufizuese kundër COVID-19 obliguan mbylljen e të gjitha institucioneve fetare.
Por marrë parasysh se beteja me pandeminë vazhdon, BIK-u ka rekomanduar që komunat më të mëdha si Prishtina, Podujeva, Mitrovica, Ferizaj, Gjilani, Peja, Prizreni, Gjakova të organizojnë faljen e namazit të xhumasë dy herë sipas nevojës, ku imamët dhe xhemati njoftohen për këtë çështje paraprakisht.
Gjatë hydbes së xhumasë në xhaminë e madhe në Prishtinë, Vedat Sahiti, këshilltar i myftiut Naim Tërnava ka thënë se pandemia i bëri njerëzit më human.
“Zoti deshi që kjo sprovë të jetë në muajin e ramazanit. Kjo sprovë na bëri më solidar si kurrë më parë dhe ndihmuam njëri tjetrin me aq sa patëm mundësi”.
Abedin Raci, besimtar, tha se gjatë pandemisë namazin e kanë falur bashkë me familje në shtëpi, raporton Ekonomia Online.
“Për shkak sëmundjes u detyruam secili me u fal me familjen e vet. Vendimi ka qenë i duhur dhe nuk janë hap me vonesë po ashtu ka pasur edhe rregull. Po i kam respektuar masat”.