Në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës është prezantuar ndihma nga kontingjenti ushtarak italian me mjete mbrojtëse për të pasur më të lehtë ballafaqimin me COVID-19, përcjell InLajmi.
“Në ceremoni morën pjesë drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, Basri Sejdiu, Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Ambasadori italian Nicola Orlando së bashku me kolonelin David Colusi të Armatës italiane”, thuhet në njoftimin për media.
Drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, falënderoi shtetin italian për ndihmat e vazhdueshme që japin për shtetin e Kosovës, në veçanti për shëndetësi.
“Ju falënderojmë dhe ju jemi mirënjohës që përkundër situatës së rëndë nëpër të cilën keni kaluar në shtetin tuaj, keni gjetur mundësi dhe na keni ndihmuar në vazhdimësi”, u shpreh ai.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ndihmat në sektorin e shëndetësisë i cilësoi si të mirëseardhura.
“Pandemia ndryshoi mënyrën tonë të jetës, na sensibilizoi dhe na bëri më të afërt me njëri- tjetrin, të bëhemi më shumë human dhe të respektojmë njëri- tjetrin. Një bashkëpunim i jashtëzakonshëm brenda Kosovës, duke filluar nga ata që ishin në vijën e parë të frontit, e bëri të mundur që ne si Kosovë të tejkalojmë mirë këtë pandemi, mirëpo një ndihmë e jashtëzakonshme ka qenë ajo nga miqtë ndërkombëtarë” përfundoi ai.
Ambasadori Orlando, tha se edhe më tej duhet të kemi kujdes, meqë ekspertët paralajmërojnë edhe një valë të dytë të koronavirusit.
“Është e rëndësishme që mos ta ulim gardën në këtë fazë, kur ekspertët paralajmërojnë valën e mundshme të dytë të përhapjes së virusit në tërë botën. Distancimi social dhe pajisjet personale mbrojtëse si këto që po i dhurojmë sot janë çelës për suksesin e vazhdueshëm në parandalimin e përhapjes së coronavirusit në Kosovë”, theksoi ai.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme dhe Administratës, Xhelal Sveçla ka falënderuar shtetin italian për ndihmën e dhënë vendit tonë. Ai ka thënë se tani jemi në momente të mirë dhe po i kthehemi normalitetit.
Shefi i kontingjentit ushtarak italian, David Colussi, foli për bashkëpunim ndërmjet dy vendeve, i cili sipas tij ka qenë shumë i mirë dhe i efektshëm./InLajmi/