Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i’u është përgjigjur akuzave të mbrëmshme të Presidentit Hashim Thaçi se ai është futur në dhomën e përgjimeve të Postës së Kosovës.
“Problemi me gënjeshtarët është se duhet të gënjejnë çdo ditë, e disa herë në ditë. Të gjitha shpifjet besoj që nuk do të duhej të ishin vetëm pyetje të gazetarëve për mua për edhe të Prokurorit të Shtetit”, ka thënë Kurti.
“Atij (Thaçit) i ka ngelur mendja te përgjimet prej kur nga “Pronto” flisnin italishten e filmave mafioz. Mos të humbim kohë me ta se dëshirat e tyre po i përshkruajnë si fakte të mia. Ata kanë dëshirë të hynë në dhomat e përgjimeve. Ata i kanë këto dëshira dhe m’i mveshin mua si fakte”.
Ndërkaq për akuzat e kryetarit në detyrë të AAK-së, se ai është i vetmi shqiptar që ka mbajtur konferencë nga burgu, Kurti është shprehur: “Të gjithë jemi maltretuar nëpër kazantet e Serbisë vetëm pse ishim shqiptarë. Kur vinte puna te unë kjo dyfishohej”, njofton Klan Kosova.
Këto komente Kurti i ka bërë gjatë konferencës së përbashkët me Kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, pas vizitës së bërë në këtë institucion.
