Lojtarët e Premier Leagues së Anglisë do të jenë 25 përqind më tepër të rrezikuar nga lëndimet kur të rifillojë futbolli.
Kjo për shkak të orarit të ngarkuar dhe po ashtu pushimit të gjatë.
Shefi ekzekutiv i Premier Leagues, Richard Masters, është i bindur se mund të rifillohet në qershor.
Më saktësisht Premier League po pritet të rifillojë më 20 qershor. Bazuar në këtë datë lojtarët e Manchester City-t do t’i kenë 13 ndeshje në 49 ditë. City ka luajtur një ndeshje më pak se shumica e klubeve të Premier League-s para se të pezullohej futbolli.
Hulumtimi i bërë nga platforma e inteligjencës artificiale “Zone 7”, që është e specializuar në parashikimin e rrezikut të lëndimeve dhe punon me 35 klube profesioniste të futbollit në mbarë botën, ka treguar se të luash tetë ndeshje brenda 30 ditëve rritë rrezikun e lëndimeve për 25 për qind, krahasuar me katër apo pesë ndeshje brenda një harku të njëjtë kohor.

Tetë ndeshje brenda 30 ditëve mund të jenë të zakonshme, por vetëm 4 për qind e lojtarëve në një stinor luajnë gjatë një serie të tillë të ndeshjeve.
Nuk është vetëm orari i ngarkuar që paraqet rrezik, por edhe koha e shkurtër për skuadrat për të kaluar nga stërvitjet individuale dhe ato me respektim të distancës sociale për në stërvitje grupore të intensitetit të lartë.
Një shqetësim për këtë kanë shprehur edhe trajneri i Watfordit, Nigel Pearson dhe ai i Newcastle Unitedit, Steve Bruce, shkruan BBC.
Bundesliga e Gjermanisë kishte rifilluar stërvitjet intensive më 7 maj, nëntë ditë para rifillimit të kampionatit. Tetë lojtarë u lënduan në gjashtë ndeshje më 16 maj.