Përveç problemeve shëndetësore që COVID-19 ka sjellur për miliona njerëz në botë, është edhe një pjesë e madhe që ka përjetuar edhe probleme me shëndetit mendor, thotë psikologu Dashamir Bërxulli në një intervistë për Radion Evropa e Lirë. Ai thotë se simptomat më të shpeshta janë depresioni dhe ankthet. Sipas tij, gjëja e parë që duhet bërë është eliminimi i frikës nga pandemia. Leximi sa më i pakët i lajmeve për këtë virus i bën më mirë shëndetit mendor, thotë ai.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Bërxulli, qytetarë të shumtë këto ditë, kanë kaluar dhe ende një pjesë e tyre po kalojnë kohën të mbyllur në shtëpi për shkak të pandemisë së COVID-19. Në aspektin psikologjik, si ka ndikuar kjo situatë te njerëzit?
Dashamir Bërxulli: Pandemia ka shkaktuar një pasiguri dhe një frikë të madhe te popullata. Si rezultat i kësaj, mbyllja ka qenë e menjëhershme dhe sigurisht në kuptimin e dinamikave psikologjike kjo jep një efekt të caktuar si në trupin e njeriut, si në mendje, ashtu edhe në veprimtarinë e përditshme.
Aq me tepër kur rastet e tilla të pandemisë me sa mbajmë mend neve nuk janë të njohura në Kosovë, por edhe në botë dhe nuk i kemi pasur mekanizmat ballafaques të situatave të tilla. Pra, është dashur të shpiket gjithçka nga e para, në kuptimin e ballafaqimit. Prandaj, mund të them se njerëzit janë bërë më apatik e më me ankth.
Do të thotë mund të kenë pasur edhe ndikime somatike që vijnë me bazë psikologjike dhe po ashtu në momente të caktuara mund të kenë pasur edhe momente të agjitimit të shpeshtë meqenëse ka qenë e prerjes së kontakteve sociale të menjëhershme dhe adaptimi me një situatë tjetër, e cila sigurisht që ka ndikuar që njerëzit të ndërpresin planet e tyre jetësore dhe të ndërtojnë një dinamikë dhe një rutinë të re
Kjo normale e re mbi dy muaj, tashmë ka ndikuar që njerëzit po ashtu të kenë momente të caktuara, veçanërisht të rinjtë të cilët kanë një jetë sociale pak më të hapur, dhe një të kenë një moment apatie apo simptoma eventualisht aty-këtu të depresionit. Ndërsa për moshat e tjera si kryefamiljarët e të tjerët, shqetësimi kryesor është ruajtja e shëndetit të familjes po ashtu edhe pjesa financiare. Pas dy muajsh, megjithatë kemi parë një qëndrueshmëri të popullatës ndaj pandemisë një vetëpërmbajtje në përgjithësi dhe një përshtatje shumë e mirë në rrethana të reja.