Presidenti i vendit Hashim Thaçi i ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e ditës së fundit të agjërimit dhe e përfundimit të Ramazanit, përcjell InLajmi.
Ai tha se ky muaj i madhërishëm sivjet ishte më ndryshe për shkak të pandemisë, por ai forcoi besimin, durimin dhe disiplinën fizike e shpirtërore te çdo besimtar.
“Njëkohësisht me urimin që agjëruesve t’u jenë pranuar sakrificat dhe lutjet, besimtarëve myslimanë ua uroj Fitër Bajramin, i cili është gëzim i përbashkët dhe vazhdim i bujarisë dhe bamirësisë ndërnjerëzore” shkroi presidenti në facebook.
Ai tha se rreziku nga pandemia ende nuk ka kaluar, prandaj u bëj thirrje që në këto ditë feste të shmangen vizitat tradicionale te njëri-tjetri, sepse vetëm me disiplinë dhe kujdes të shtuar mund t’i gëzohemi së shpejti edhe tejkalimit të kësaj situate.
Paqja, solidariteti, mirëqenia dhe toleranca uroj të mbizotërojnë përherë në mesin tonë dhe kudo në botë! /InLajmi/