Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, bashkë me ministrin në detyrë të Financave e Transfereve, z.Besnik Bislimi dhe zëvendësministren në detyrë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës znj. Liza Gashi sot kanë zhvilluar një bashkëbisedim virtual me përfaqësues dhe ndërmarrës të platformave ekonomike në Europë, përkatësisht z.Lazim Destani, Kryetar nderi i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare (RrBDSh), z.Nazmi Viqa, Kryetar i Unionit të Bizneseve në Gjermani, z. Qamil Isufi, Kryetar i RrBDSh në Zvicër, z. Flamur Mavraj, Kryetar i RrBDSh në Norvegji, z. Vat Marashi, Kryetar i RrBDSh në Itali, z. Omer Nura, Kryetar i RrBDSh në Finlandë, z.Nestor Dede, Kryetar i RrBDSh në Greqi, z. Ilir Seferi, Nënkryetar i Fondacioni “BESA”, Bavari, dhe ndërrmarrësi Ismet Mehmeti nga Franca, përcjell InLajmi.
Kryeministri në detyrë, z. Albin Kurti, falënderoi diasporën për angazhimin gjatë pandemisë COVID-19 dhe mbështetjen financiare e cila tashmë ka kaluar vlerën 720 mijë euro.
Tutje kryeministri ka ndarë me bashkëbiseduesit disa nga planet e qeverisë së tij që ndërlidhen dretëpërdrejtë me përfshirjen dhe kontributin e diasporës.
“Diaspora ka një rëndësi shumë të madhe për Republikën e Kosovës, dhe ne mendojmë ta fuqizojmë rolin e ndërmjetësues të diasporës në takime të niveleve të larta tek vendimmarrësit politikë dhe korporatat e mëdha në vendet ku ata jetojnë, duke krijuar mekanizma, sikurse ai i Këshillit Nacional për Investime të Huaja dhe Strategjike, që do të vendoset në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. Tutje, ne e shohim diasporën si kapital human, përpos financiar.”
Ai ka uruar që sa më shpejtë mergimtarët të kenë mundësi të vijnë në Kosovë.
“Urojmë që së shpejti të hapim kufijtë e Kosovës për bashkatdhetarët tanë.”
Në fund, Kryeministri në detyrë Kurti siguroi të pranishmit se Qeveria që ai drejton është duke punuar që të krijojë të gjitha kushtet për të investuar në atdhe. /InLajmi/