Nata e Kadrit është një ndër netët e bekuara të muajit Ramazan, sipas besimit Islam, e cila gjendet në dhjetëditëshin e fundit të tij. Kurani ka një sure të veçantë e cila mban këtë emër dhe përshkruan me hollësi veçoritë e saj.
“Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit. Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit. E çka di ti se ç’është Nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj. Engjëjt dhe Shpirti (Xhebraili), me lejen e Zotit të tyre, zbresin në këtë Natë, duke sjellë dekretin Hyjnor lidhur me çdo çështje. (Pas zbritjes së tyre) ka paqe deri në lindjen e agimit”
Kjo natë, po sipas të njejtit besim, fal gjynahet dhe mbulon të këqijat, pra është nata e faljes dhe mëshirës.
Prej madhështisë së kësaj nate është edhe hapja e dyerve të qiejve për të pranuar lutjet e atyre që i drejtohen Zotit, për t’u zgjidhur hallet, larguar vështirësitë dhe për t’u sjellë gëzimin.
Kjo natë e ka vlerën sa 1000 muaj dhe duke ditur se jeta mesatare e njeriut nuk i kalon 75 vitet, do të thotë se kjo natë është më me vlerë se e gjithë jeta e njeriut.
Më poshtë keni disa vepra që duhet të bëhen në Natën e Kadrit:
1. Këtë natë duhen kryer adhurime për hir të Allahut, duhet falur namaz duke e përforcuar ndjenjën e adhurimit.
2. Duhet lexuar sa më shumë Kur’an, të dëgjohet ai që e lexon atë si dhe të meditohet mbi ato ç’ka thotë Kur’ani.
3. Duhet të biem në salavat mbi Profetin tonë a.s., të shpresojmë në shefatin (ndërmjetësimin) e tij, të forcojmë vetëdijen e të qenit nga ymeti i tij dhe të rinovojmë besnikërinë ndaj tij.
4. Duhet të kërkojmë falje e mëshirë nga Allahu, të bëjmë vetëllogari dhe të bindim veten të kthehemi drejt rrugës së drejtë.
5. Të bëjmë sa më shumë dhikër (përkujtim) e të meditojmë, pasi vetëm me përkujtimin e Allahut gjejnë shpëtim dhe prehje zemrat.
6. Të lutemi sa më shumë, sepse duaja është mjeti që e afron më shumë njeriun me Zotin e tij. Transmetohet se Profeti ynë i nderuar a.s. në këtë natë e ka këshilluar Aishen të bëjë këtë dua: “Allahumme inneke afuuun, tuhibbu’l-afue fa’fu anni” {Zoti im! Ti je Falës, të pëlqen të falësh, më fal dhe mua!}.
7. Në këtë natë të shenjtë duhet të kërkojmë prej Allahut të falë të gjithë besimtarët. Të lutemi që kjo natë të bëhet faktor për forcimin e dashurisë dhe vëllazërisë, për bashkimin e botës islame dhe për ruajtjen e gjithë njerëzimit nga fatkeqësitë/InLajmi/