Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar në Tiranë e ka lidhur me rrëzimin e Qeverisë në krye me Albin Kurtin, shkruan InLajmi
Përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, Nagavci ka thënë se edhe Teatri në Shqipëri dhe Qeveria Kurti, u rrëzuan në kohë pandemie globale dhe kundër vullnetit të qytetarëve.
Sipas saj, po rrëzohet e reja progressive e po shembet kujtesa historike.
“Në Tiranë rrëzuan godinën e vjetër të Teatrit Kombëtar, në Kosovë rrëzuan Qeverinë e re të Albin Kurtit, të dyja në kohë pandemie globale, të dyja kundër vullnetit të qytetarëve. Për të mirën e shqiptarëve do duhej të binte e vjetra në mendësi, në sjellje e qëllime të këqia. Tek ne po ndodh e kundërta, por rrëzohet e reja progresive e po shembet kujtesa historike”, ka shkruar Nagavci.
Postimi i plotë:
Sot në orët shumë të hershme të mëngjesit, dhunshëm u shemb teatri.
Në Tiranë rrëzuan godinën e vjetër të Teatrit Kombëtar, në Kosovë rrëzuan Qeverinë e re të Albin Kurtit, të dyja në kohë pandemie globale, të dyja kundër vullnetit të qytetarëve.
Për të mirën e shqiptarëve do duhej të binte e vjetra në mendësi, në sjellje e qëllime të këqia. Tek ne po ndodh e kundërta, po rrëzohet e reja progresive e po shembet kujtesa historike.
Në skenën e teatrit vazhdimisht luhen drama, por vjen koha dhe perdet bien. Shfaqja përfundon dhe spektatorët duartrokasin e shfaqin mirënjohjen ose fishkëllejnë, shajnë e mallkojnë. Por në fund pushtetet e vjetra do të shemben se s’bën. /InLajmi/