Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka përkujtuar intelektualin dhe veprimtarin e shquar kombëtar Ukshin Hoti, në 21 vjetorin e zhdukjes së tij, shkruan InLajmi.
Mos zbardhjen e fatit të Hotit e konsideron dëshmi të një shteti kriminal siç ishte ai serb, e i cili ushtroi dhunë, burgosje, vrasje, djegie, masakrime dhe gjenocid mbi shqiptarët e Kosovës, veçanërisht në vitet 1998 dhe 1999.
Presidenti përfundon se duhet të zgjidhjen çështjet e të zhdukurve në Kosovë për të arritur paqe të qëndrueshme.
Postimi i tij i plotë:
Që 21 vjet ende nuk dihet për fatin e profesorit, intelektualit dhe veprimtarit të shquar kombëtar Ukshin Hoti, i cili e kaloi një pjesë të jetës nëpër burgjet jugosllave dhe serbe.
Profesori Hoti që në vitin 1981 përkrahu idenë dhe kërkesën për Republikën e Kosovës, duke u bazuar në të drejtën historike dhe në konceptin e zhvillimit të Kosovës si entitet politik, që nuk mund të mbetej nën administrimin e Beogradit.
Moszbardhja e fatit jetësor të profesor Hotit është edhe dëshmi e natyrës kriminale të shtetit serb, që në mënyrë sistematike ushtroi dhunë, burgosje, vrasje, djegie, masakrime dhe gjenocid mbi shqiptarët e Kosovës, veçanërisht në vitet 1998 dhe 1999.
Rasti i profesor Hotit dhe i të pagjeturve tjerë janë dëshmi se për të arritur paqe të qëndrueshme duhet të mbyllen të gjitha plagët e hapura nga lufta, të ketë drejtësi për viktimat dhe dënime për përgjegjësit. HTH/InLajmi/