Ministri në detyrë i mbrojtjes Anton Quni dhe ministri i punëve të jashtme në detyrë Glauk Konjufca zhvilluan sot një takim, të shoqëruar nga këshilltari politik Sabri Kiçmari.
Në pritje ishin të pranishëm zëvendësministri në detyrë Enver Dugolli, komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, sekretari përgjithshëm u.d. Faruk Geci si dhe zyrtarë dhe oficerë të lartë të ministries.
Në fillim ministri Quni e njoftoi ministrin Konjufca për aktivitet në ministri dhe FSK, për angazhimet që ka dhanë FSK-ja në përballimin e gjendjes me pandeminë Covid-19, me detyrat dhe aktivitetet që kanë qenë të planifikuara.
Ai foli edhe për bashkëpunimin e gjerë që ka ministrja e Mbrojtjes me partnerët ndërkombëtarë, me NATO-n duke theksuar bashkëpunimin e mirë ditor me Ekipin Këshillues Ndërlidhës të NATO-s (NALT).
“Më pastaj dy ministrat biseduan për mundësitë e koordinimit ndërministror për bashkëpunim me jashtë, në raport me NATO-n dhe organizatat tjera ndërkombëtare të sigurisë dhe mbrojtjes. Për dërgimin e FSK-së në misione paqeruajtëse jashtë vendit; për statusin kohor të mandatit të atasheve të mbrojtjes jashtë vendit; koordinimin e aktiviteteve për anëtarësim në A-5 (Karta e Adriatikut-SHBA) dhe pika të tjera”, njofton Klan Kosova.
“Ministri Konjufca nga ana e tij, përgëzoi FSK-në për sukseset e deritashme, duke falënderuar dhe shprehur mirënjohje të veçantë për kontributin e FSK-së gjatë pandemisë në kthimin e qytetarëve kosovarë dhe transportin e tyre nga aeroporti ‘Adem Jashari’ në karantinë nga transporti i specializuar i FSK-së. Ai shprehu gatishmërinë që bashkëpunimi në mes të dy ministrive të thellohet në fushat e përbashkëta, duke theksuar se do të bëjmë krejt çka duhet nga MPJ që FSK të ketë bashkëpunim ndërkombëtar më të zgjeruar dhe angazhime në kuadër të misioneve paqeruajtëse në botë, me qellim të inkuadrimit në NATO që është synim i shtetit të Kosovës”.




















