Vendet evropiane gjatë vjeshtës mund të përballen me një valë të dyfishtë, atë të infeksioneve me COVID-19 si dhe të gripit sezonal, ka thënë zyrtari më i lartë i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropë, Hans Kluge.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Kluge paralajmëroi vendet që lehtësuan masat kufizuese të përgatiten, pasi ai shprehet se “nuk është koha për festë”.
Ai potencoi se vendet duhet të përdorin periudhën aktuale për të ndërtuar kapacitete në spitale, dhe për të forcuar sistemin e shëndetësisë publike.
“Vendet si Japonia dhe Singapori e kuptuan herët që nuk është koha për të festuar, është koha për përgatitje”, ka thënë Kluge.
“Jam shumë i shqetësuar për një valë të dyfishtë në vjeshtë, mund të kemi një valë të dytë të COVID-19 dhe një tjetër të gripit sezonal ose të fruthit”, ka shtuar ai.